Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Qesharake Idetë për Shkëmbim Territoresh

Ramush Haradinaj në një konferencë për gazetarë i quajti qesharake idetë për shkëmbim territoresh.

“Jam kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës së sotme”, tha Haradinaj.

Ai u shpreh i habitur për deklaratat e kohëpaskohshme dhe idetë për shkëmbim territoresh.

“Janë qesharake, nuk janë serioze, habitna kush po i nxit”, tha Haradinaj.

Ai foli edhe për vizitën në Amerikë. Tha se ishte i fokusuar te krijimi i forcave të armatosura.

“Unë fokusimin e kam pasë te ushtria”, tha Haradinaj.

Ai foli edhe për porosinë amerikane që të kryhen punët e shtëpisë.

“Punët e shpisë janë të gjitha: shteti ligjor, ekonomia e temat e mbetura të hapura. Në plan të parë dhënia e mandatit kushtetues të ushtrisë së Kosovës”, tha Haradinaj.

Kryeministri veçoi porosinë e një këshilltari të Trump-it.

“E veçantë ishte porosia e këshilltarit të Trump për përkrahjen që Amerika i jep Kosovës. Ishte porosia ma e qartë e mundshme që kishim mujt me dëgju”, tha Haradinaj teksa deklaroi se përgëzon “ambasadoren Çitaku se po bën punë të mirë në Uashington”.