Haradinaj Priti Familjarët e të Dënuarve në Rastin e Kumanovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot familjarët e të dënuarve në rastin e Kumanovës.

Kryeministri Haradinaj dëgjoi shqetësimet e familjarëve për mirëqenien, si dhe dënimet e qytetarëve të Kosovës që po mbahen në Maqedoni.

Familjarët e të dënuarve thanë se dënimet e shqiptuara nga Gjykata janë të papranueshme dhe nuk përkojnë me asnjë parim të së drejtës, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas komunikatës, Kryeministri Haradinaj siguroi familjarët se Qeveria e Republikës së Kosovës është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe se do të jetë në përkrahje të familjarëve gjatë këtij procesi.

Haradinaj zhvilloi një takim me familjarët edhe të premten, para ndërtesës së qeverisë në ditën kur ata protestuan kundër dënimeve ndaj shqiptarëve të përfshirë në ngjarjet e Kumanovës të majit të vitit 2015.

Gjykata në Shkup të enjten u shqiptoi në total 746 vjet burg pjesëtarëve të këtij grupi.