Haradinaj në takim me ish-bashkëluftëtarët | Foto: ZKM

Haradinaj Premton Pensione të Rregullta për Veteranët

Gjatë takimit që pati me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së prej komunave të Rajonit të Dukagjinit, Ramush Haradinaj premtoi pagësë të rregullt të pensioneve të veteranëve të luftës.

“Pensionet e veteranëve do të paguhen me rregull sipas ligjit, sepse vonesat që po ndodhin tani janë të pajustifikueshme”, tha Haradinaj, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Haradinaj më tutje ua sqaroi përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta se me konstituimin e organeve të Kuvendit do të rishikohet buxheti për pensionet.

“Me konstituimin e organeve te Kuvendit, duhet të bëhet rishikimi i buxhetit që pensionet e veteranëve të mos paguhen në mënyrë të pjesshme por të vendoset një bazë e rregullt për pagesë të plotë dhe me kohë”, tha më tutje Haradinaj.

Kryeministri u tha ish-bashkëluftëtarëve se do të jetë pranë tyre.

“Kryeministri Haradinaj tha se do ta ketë parasysh rrugën e lirisë të cilën e kaluan së bashku, prandaj do të jetë gjithnjë pranë tyre në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen ata”, deklaroi Haradinaj.

Komunikata e Zyrës së Kryeministrit bën me dije se Haradinaj ka caktuar këshilltarin e tij politik Gazmend Sylën drejtor të Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një pjesë e madhe e veteranëve të UÇK-së nuk e kanë marrë pensionin për muajin gusht për arsyen se moskrijimi i institucioneve vonoi rishikimin e buxhetit.