Haradinaj Premton ‘Mrekulli’ për Gjakovën

Kryeministri  i Kosovës, Ramush Haradinaj është zotuar për mbështetje të pa rezervë për Komunën e Gjakovës.

Në një vizitë që i bëri komunës që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, Ardian Gjini, Haradinaj listoi një varg projektesh që qeveria ka në plan për këtë komunë,.

“Gjakova ka edhe një specifikë, procesin e privatizimit që ka ndodhur në të kaluarën dhe si rezultat i kësaj ka një ngecje dhe nuk është definuar çështja e kapaciteteve të mëhershme ekonomike”, tha kryeministri, duke theksuar se në takim është biseduar edhe për një Zonë të lirë ekonomike, për të cilën tha se në momentin që vjen kërkesa në Qeveri, do të procedohet brenda 24 orëve”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu premtoi se do të fillojë autorruga me katër korsi Gjakovë-Klinë, si dhe një numër projektesh brenda qytetit.

Në anën tjetër, Kryetari Gjini tha se me të dhe Haradinajn në pushtet, Gjakova do të ketë zhvillimin që sipas tij i ka munguar.

“Kjo jo vetëm për shkëmbim të mendimeve, por edhe për bashkërendim më të madh të asaj që Gjakova mund të marr nga qeveria, të përgatitjeve për sa më shumë thithje të fondeve, të cilat për një kohë të gjatë kanë munguar në Gjakovë”, tha Gjini.