Haradinaj: Përpjekjet për Sundimin e Ligjit Janë Agjendë e Përditshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit të gjashtë të nivelit të lartë të Sundimit të Ligjit, kishte në fokus punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Haradinaj tha se Kosova është në fazën kur përpjekjet për sundimin e ligjit janë agjendë e përditshme dhe kështu do të jetë një kohë të gjatë, derisa kërkoi nga pjesëmarrësit në këtë takim të angazhohen më shumë në arritjen e rezultateve dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë në vend.

“Që nga krijimi i kësaj qeverie, sot kemi mbajtur takimin e 6-të me radhë dedikuar kësaj fushe aq të rëndësishme në forcimin e shtetit tonë dhe rrugës tonë të integrimeve euro-atlantike. Sot, ne pamë nga afër rezultatet e punës në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës Supreme. Sistemi i drejtësisë po tregon një përparim që dëshmon përkushtimin e institucioneve të Kosovës”, tha kryeministri.

Gjatë takimit u prezantuan të dhënat konkrete, ku u kuptua që gjykatat e të gjitha niveleve gjatë vitit 2017 kanë pasur në shqyrtim 618 mijë e 991 lëndë, derisa janë zgjidhur 310 mijë e 880 prej tyre.

“Nëse krahasohet numri i lëndëve të bartura nga vitet e kaluara, gjykatat në vitin 2017 kanë arritur t’i zvogëlojnë këto raste për 91,016, që nënkupton rritje drastike të efikasitetit, 89% të aktakuzave kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, janë shënjestruar 39 lëndë, për 29 lëndë janë ngritur aktakuzat”, thuhet në komunikatën e lëshuar të qeverisë.

Më tutje thuhet se nga prezantimet e të arriturave u kuptua që në vitin 2017 janë zgjidhur 412 lëndë të korrupsionit dhe se efikasiteti i zgjidhjes së lëndëve është përmirësuar dukshëm, ku nga mbi 60%  ka rënë në 30% me shkallë të spastrimit me 145%.

“Ndonëse na presin edhe shumë sfida përpara, institucionet tona kanë shënuar rezultat në kryerjen e punëve të tyre dhe mbështetja ime dhe e qeverisë do të jetë e pakompromis”, theksoi Haradinaj.

Në takim morën pjesë kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, ministri i Financave, Bedri Hamza, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, si dhe përfaqësuesit e prokurorisë, gjyqësorit, të policisë dhe të Doganës së Kosovës.

Në këtë takim, për sundim të ligjit dhe rendit, u tha se sundimi i ligjit vazhdon të mbetet sfidë për vendin dhe se po punohet me përkushtim për përmirësimin e gjendjes në këtë fushë.