Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Haradinaj: Pasaportën Shqiptare nuk e Përdor për Udhëtime

Kryeministri Ramush Haradinaj foli sot pas mbledhjes së qeverisë edhe për marrjen nga ai të pasaportës shqiptare.

Haradinaj tha se pasaporta i është dhënë më herët me dekret të Presidentit Bujar Nishani.

“Këtë vendim, vendimin për shtetësi ka qenë një dekret i presidentit Nishani, unë se kam kërkuar në atë kohë, dhe dje e kam tërheq pasaportën se kesh në Tiranë”, tha Haradinaj.

Ai deklaroi se nuk do ta përdorë për udhëtime këtë pasaportë.

“Nuk e përdori për udhëtim, sepse kam diplomatike, por e kam si nder këtë pasaportë. Shqetësimet, irritimet e qytetarëve janë të arsyeshme, sepse jemi të bllokuar si popull”, tha Haradinaj.

Haradinaj deklaroi se edhe vetë është i shqetësuar për mungesën e liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Edhe unë e kam këtë shqetësim, jemi tu punu që të vijmë deri te dita e liberalizmit. E vërtetë që është e lidhur me demarkacionin, e vërtetë që kemi humbur shumë kohë, por jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Haradinaj.

Haradinaj e mori pasaportën disa ditë pasi iu refuzua viza për Amerikë.