Haradinaj Paralajmëron Takim të Gjatë për Shipitullën

Kryeministri Haradinaj tregoi sot pas takimit që e pati me drejtues të KEK-ut se në orën tetë të mbrëmjes do të takohet me banorë të Shipitullës për të diskutuar rreth zhvendosjes së zvarritur të tyre.

Haradinaj deklaroi se në takimin me banorët që do të zhvillohet në mensën e punëtorëve të KEK-ut do të marrin pjesë edhe menaxhmenti i korporatës, ndërsa tha se edhe sindikata është mirë të jetë atje.

Haradinaj bëri të ditur se do të dëgjojë se çfarë kanë për të thënë banorët, ndërsa tregoi se është i gatshëm të qëndrojë me ta derisa të gjendet një zgjidhje.

“Nëse është nevoja dojme me nejt sa të zgjatë- 1 ditë, 2 ditë, 3 ditë, derisa t’i gjindet një zgjidhje e drejtë kësaj teme”, deklaroi Haradinaj.

Kryeministri i zgjedhur të shtunën tha se është e pakuptimtë të mos punojnë ekskavatorët dhe të mos ketë qymyr.

“Energjia është interes jetik i çdo vendi. Situata në KEK nuk është në rregull. Me marrë vendin në qafë,mos me pasë qymyr, mos me punu ekskavator[t, me pasë ngecje të tilla është e pakuptimtë”, tha Haradinaj.

KALLXO.com shkroi të shtunën për protestën para ekskabvatorëve të banorëve të Shipitullës që pretendojnë se KEK-u po nxjerr qymyr shumë më afër zonës së sigurisë për shtëpitë e banorëve të këtij fshati.

http://kallxo.com/hadja-e-shipitulla-proteste-per-trajtim-te-dinjitetshem/

Haradinaj teksa i ftoi banorët për takim, kategorikisht mohoi shpërndarjen e mundshme të tyre nga policia.

“Kurrë jo, ata janë njerëzit e këtij vendi vllaznit e motrat tona, po do ta gjajmë atë që është e drejtë- ni marrëveshje, jo me i torturue me vjet të tana me i lanë me status të padefinum”, tha Haradinaj.

Ai në fund të paraqitjes së tij për gazetarë tha se rrogat e punëtorëve të KEK-ut duhet të rriten.

KALLXO.com e Gazeta Jeta në Kosovë vazhdimisht kanë shkruar për problemet e banorëve që jetojnë pranë mihjeve sipërfaqësore të thëngjillit. Shkrimet e tilla mund t’i lexoni këtu.