Pamje nga zona kufitare me Malin e Zi - Foto: Bujar Tërstena/REL

Haradinaj Nuk Pret Shumë për Demarkacionin nga Vizita e Homologut Malazez

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka treguar shenja optimizmi se vizita e paralajmëruar e homologut të tij malazez, Dushko Markoviq, në Kosovë javën e ardhshme, mund të zgjidhë diçka në çështjen e demarkacionit.

Duke folur para gazetarëve në një konferencë për shtyp nga ndërtesa e qeverisë, Haradinaj tha se Markoviqit do t’i bëhet pritje e nivelit të lartë shtetëror dhe se vizita e tij synon “thellimin e marrdhënieve mes dy vendeve“.

“Sa i përket demarkacionit tema është në parlament. Nuk ka shumë hapsinë me u negociu mes dy kryeministrave”, tha kryeministri i Kosovës.

Parlamenti i Malit të Zi e ka ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Kosovën të nënshkruar në gusht të vitit 2015, ndërsa Kosova nuk e ka hedhur ende për votim këtë marrëveshje në Kuvend.

Kryeministri malazez ka paralajmëruar se do ta vizitojë Kosovën më 6 shkurt.