Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Nuk ka Rritje të Çmimit të Energjisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ritheksuar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Kështu deklaroi ai në Facebook, disa ditë pas nënshkrimit të kontratës për termocentralin e ri ‘Kosova e Re’, me kompaninë Contour Global.

Sipas Haradinajt, qeveria e udhëhequr nga ai ka arritur që ti minimizojnë humbjet nga importi i energjisë elektrike.

“Me hapat që kemi ndërmarrë, që kur kemi marrë mandatin e kësaj Qeverie, kemi arritur që humbjet, nga importi i obliguar, prej dhjetëra milionë euro në vitin 2017 (sipas Bankës Botërore dhe KEK-ut) t’i kthejmë në zero në 2018, me siguri për profit në të ardhmen. Sot, sfida me energji është e fituar”, shkroi ai.

Mbrëmë ai po ashtu foli lidhur me bërjen publike të kontratës së nënshkruar me Contour Global duke thënë se kontratat e nënshkruara në vazhdimësinë e mandatit të tij do të jenë publike.

“Kontrata e nënshkruar me “Contour Global” për Termocentralin “Kosova e Re” tani është bërë publike në formën e saj origjinale. Kjo është dëshmi që në Kosovë çdo kontratë, tani e tutje, do të jetë transparente”, u zotua Haradinaj.