Kryeministri Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Haradinaj: Nuk Janë Gjetur Prova për Akuzat ndaj Rikalos

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se në bazë të informatave që ka marrë nga institucionet përkatëse nuk ka prova që dëshmojnë që Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo ka kryer vepra dhune gjatë luftës së fundit.

Haradinaj në përgjigjen e tij ndaj interpelancës së kërkuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët ngritën për diskutim akuzat e disa banorëve të Prishtinës të raportuara përmes medieve sa i përket rolit të ministrit Rikalo në luftën e fundit.

“Menjëherë pas njoftimeve publike shqetësuese për mundësinë që Rikalo të ketë qenë i involvuar në keqtrajtime gjatë luftës kam kërkuar përgjigje zyrtare nga organet kompetente”, tha Haradinaj.

Kryeministri citoi një nga një  përgjigjet  që kishte marrë nga institucionet si Drejtoria për Intelegjencë dhe Analizë, Prokuroria Speciale dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

“Sipas DIA-s nuk ka raste të raportuara në sistemin informativ të Policisë së Kosovës. Prokuroria speciale thotë se në databazë nuk evidentohet asnjë rast për informatat që po qarkullojnë”. Si dhe AKI që thotë se nuk ka dorëzuar ndonjë informatë në prokurorinë për veprën e dyshuar krime lufte për Nenad Rikalo’, citoi Haradinaj.

Ai po ashtu tha se është i hapur për diskutim ndërkaq qeveria sipas tij ka vepruar sipas përgjigjeve të marra më sipër.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së kërkoi më herët nga Haradinaj shkarkimin e Rikalos.