Ramush Haradinaj në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: Nuk i Kemi Votat për Anëtarësim në Interpol

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e Interpolit, porse vendi nuk i ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Prandaj, ka thënë Haradinaj, si kryeministër sot ka marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.

Ai ka bërë thirrje që deri në takimin e radhës të punohet shumë që Kosova të votohet anëtare e Interpolit.

“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol është kontribut direkt në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit”, ka theksuar kryeministri Haradinaj sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij.

Ndryshe, gjatë asamblesë së Interpolit, që do të mbahet më 26 shtator në Pekin, është paraparë edhe votimi i anëtarëve të rinj në këtë organizatë, në mesin e të cilëve pritej të ishte edhe Kosova.

Analisti për çështje të sigurisë, Florian Qehaja kishte deklaruar se gjasat që sivjet Kosova të anëtarësohet në INTERPOL janë minimale dhe për çdo manipulim në këtë drejtim duhet dhënë llogari.