Takimi i Ramush Haradinajt e Pal Lekajt | Foto: ZKM

Haradinaj nuk do Vonesa në Kryerje të Punëve

Teksa vizitoi kolegun e tij partiak Pal Lekaj që ka marrë drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës, Kryeministri Ramush Haradinaj duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarë i quajti ata të pashkolluar.

Haradinaj reagoi kështu kur u pyet rreth shkrimeve në medie se ambasada amerikane nuk do të përkrahë version tjetër të marrëveshjes së demarkacionit.

“Kam respekt për media shumë, por shumica prej juve as nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë. Ju po raportoni pa ditë se si po raportoni, besoni, shkoni më shumë në shkollë”, tha Haradinaj.

Para se të fliste kështu për gazetarët, Haradinaj kërkoi që të mos ketë vonesa në projekte infrastrukturore.

Ai deklaroi se për Autostradën Prishtinë- Hani i Elezit ka një obligim të papaguar.

“U njoftova se si kanë shkuar zhvillimet në Autostradën ‘Arbën Xhaferi’, se në çfarë etape është. Kemi një obligim financiar të papërmbushur këtë vit. Do ta gjejmë një zgjidhje së bashku me Ministrinë e Financave. Njëkohësisht, dëshirojmë që atë projekt ta përmbyllim në afatin e caktuar kohor, në mënyrë që të mos ndodhin vonesat”, tha Kryeministri Haradinaj.

Autostrada “Arbën Xhaferi” që nisi në qershor të viti 2014, është paraparë të përfundojë në janar të 2018-ës.

http://kallxo.com/nis-autostrada-prishtine-hani-i-elezit/

Haradinaj më tutje i porositi kryerësit e punëve që më nuk do të tolerohen vonesat.

“Besoj se ata që marrin punë, pra punëkryesit e hetojnë se edhe ne jemi të saktë në punë. Duhet ta kuptojnë se vonesat e tyre në kryerjen e punimeve do të ishin lajm i keq për ne, për ata dhe për Kosovën. Kjo nuk do të tolerohet më. Nëse dikush ka marrë përgjegjësi për t’i kryer punë këtij vendi, ose do t’i kryejë në afat kohor, ose do të përjashtohet nga mundësia që të marrë punë nga publiku”,tha Haradinaj.

Ai më tutje e pranoi se janë shkaktuar vonesa në rrugën për Pejë.

“Obligimi i ndërmarrë i Kosovës me BERZH-in, por edhe ndërtimi i kësaj rruge duhet të bëhet në kohën e duhur. Janë në një ritëm të ngadalshëm dhe jo aq serioz që kanë ndodhur deri më sot”, tha Haradinaj.

KALLXO.com kishte shkruar për protestën e banorëve të Qyshkut e Pavlanit për qasje më të afërt në Magjistralen Prishtinë-Pejë.