Ramush Haradinaj e Aleksandar Vuçiq

Haradinaj, Një Armik i Dobishëm për Vuçiqin

Ish kryeministri i Serbisë dhe presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq, na kujtoi aftësitë e tij politike kur ai përdorte fokusin publik në Serbi për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [dhe tani kryeministrin e Kosovës] Ramush Haradinaj, për të fituar pikë, për ta minuar opozitën dhe në fund të bëhej President i Serbisë.

Në më pak se nëntë muaj, Vuçiq shkoi nga prezantimi i Haradinajt te publiku si armiku numër 1 i Serbisë te mbështetja në mënyrë të heshtur e deputetëve serbë në parlamentin e Kosovës në formimin e një koalicioni qeveritar me të njëjtin “kriminel”.

Ndërsa kritikët e Vuçiqit thonë se politika të tilla jokonsistente dhe vetë-shërbyese janë hipokrite, mbështetësit e tij vetëm vlerësuan pragmatizmin e tij tani legjendar.

Me sa duket Haradinaj gjithashtu përfitonte duke u bërë “armiku i preferuar” i Vuçiqit. Muaj më vonë, ai u bë kryeministri i ri i Kosovës.

Haradinaj, njeriu që Vuçiq pëlqen të urrejë

Haradinaj erdhi përsëri në qendër të vëmendjes në media më 4 janar, kur autoritetet franceze e arrestuan atë me një urdhër serb, duke e akuzuar për vrasje dhe krime të rënda në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.

Gjyqësia serbe ka ngritur 108 padi penale kundër Haradinajt, bazuar në dëshmitë e dhjetëra dëshmitarëve të krimeve të kryera nga njësitë që ai ka udhëhequr, duke përfshirë indikacione se vetë Haradinaj mund të kishte kryer disa prej krimeve.

Haradinaj u akuzua më herët për disa nga këto veprime përpara gjykatës së krimeve të luftës në Hagë, ICTY. Sidoqoftë, në të dy rastet, në vitin 2008 dhe 2012, kjo gjykatë e liroi atë nga akuzat për shkak të provave të pamjaftueshme.

Vuçiq, kryeministri i Serbisë në atë kohë, theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë ta kërkojë ekstradimin e Haradinajt në Beograd, megjithëse ai dukej i përgatitur mirë për një skenar tjetër, siç tha ai: “Nëse Europa e liron atë, ashtu qoftë. Le të tregojnë edhe një herë se politika është më e fortë se ligji”.

Autoritetet franceze më vonë e liruan Haradinajn me kusht, duke marrë pasaportën e tij derisa u dha vendimi për kërkesën e Serbisë për ekstradim.

Njeriu më i fuqishëm në Serbi atëherë thirri një mbledhje urgjente të qeverisë. Historia e Haradinajt i dha Vuçiqit material të përsosur për fushatën zgjedhore që po përgatiste përpara zgjedhjeve presidenciale më 2 prill.

Haradinaj ishte një thes boksi ideal për grushte dhe seancat urgjente të qeverisë ishin një mundësi ideale për të treguar mençurinë e Vuçiqit si dhe “kujdesin për viktimat dhe interesat kombëtare”.

Në të njëjtën kohë, Vuçiq ndoshta shpresonte që Franca do të refuzonte kërkesën e Serbisë për ekstradim, sepse përderisa Haradinaj ishte në Francë, ose edhe nëse ai kthehej në Kosovë, ai mbetej një mundësi e përkryer për marrëdhënie me publikun.

Po të ishte ekstraduar në Beograd, nga ana tjetër, prania e Haradinajt do të ishte një problem dhe sfidë e madhe për Vuçiqin.

Në kohën kur gjykata franceze në Kolmar vendosi të mos e ekstradonte ish komandantin e UÇK-së në Serbi më 27 prill, Vuçiqi ishte zgjedhur tashmë President i Serbisë, edhe pse ai ishte ende në krye të qeverisë.

Ai shpejt ndërmori hapat për të forcuar pozitën e tij dhe për të rritur vlerësimet, si të tijat ashtu edhe të Haradinajt.

Vuçiq përsëri thirri një takim urgjent të qeverisë, dërgoi një notë proteste në Francë, vendosi një ndalesë tre mujore për udhëtimet zyrtare në Francë, thirri ambasadorin serb për konsultime dhe shpalli vendimin francez si “të turpshëm”.

Përveç kësaj, përpara kamerave, ai lexoi personalisht ato që sipas tij ishin disa nga dëshmitë e tmerrshme të viktimave të Haradinajt.

Ai konkludoi se pavarësisht kësaj “fitores së kriminelëve”, Serbia ishte e detyruar të “vazhdonte luftën e saj për hir të viktimave të vrara”.

Ai shtoi se nuk do të lejojë askënd, madje as Francën e fuqishme, të “poshtërojë Serbinë”, pasi sipas tij kjo ishte një çështje e parimeve bazë dhe jo e politikës.

Reagim ndryshe kur nuk ka zgjedhje

Në disa mënyra u përsërit situata që ndodhi më parë në qershor të vitit 2015, kur Haradinaj u arrestua në Lubjanë, Slloveni, gjithashtu në bazë të një urdhri serb.

Ditë më vonë, autoritetet sllovene gjithashtu refuzuan ta ekstradonin atë në Serbi.

Në atë kohë, megjithatë, kryeministri Vuçiq nuk dërgoi një notë proteste në Slloveni, nuk e thirri ambasadorin për konsultime dhe nuk caktoi takime urgjente të qeverisë.

Ai nuk bëri asnjë nga gjërat që bëri kur Haradinaj u arrestua në Francë. I vetmi shpjegim logjik është se në atë kohë nuk kishte zgjedhje në Serbi.

Ndërkohë, Haradinaj u kthye nga Franca në Kosovë politikisht më i fortë. Paraburgimi i tij në Francë, si dhe retorika e zemëruar e Beogradit, bëri që ai të fitoj pikë shtesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të mbajtura më 11 qershor.

Koalicioni i mbledhur rreth Haradinajt fitoi më shumë vota, si dhe 39 nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës.

Megjithatë, kjo ende nuk ishte e mjaftueshme për të, që në mënyrë të pavarur të formonte qeverinë.

Për këtë, ndër të tjera, ai kishte nevojë për mbështetjen e nëntë deputetëve nga Lista Serbe, partia serbe në Kosovë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit.

Ndërsa Vuçiqi në publik pretendonte se deputetët serbë në Kosovë do të merrnin vetë vendimet për aleancat e tyre të ardhshme, madje edhe fëmijët në Serbi tashmë e dinin se Marko Gjuriq, njeriu i Vuçiqit i ngarkuar me serbët në Kosovë, do t’i “ndihmonte” ata që të merrnin “vendimin e drejtë”.

Të gjitha mësimet në lidhje me moralin dhe etikën që Vuçiqi dhe ministrat e tij ia kishin prezantuar publikut francez dhe serb, dukeshin menjëherë të harruara.

Ndërkohë, Vuçiqi ka imponuar një situatë skizofrenike në publikun serb. Nga njëra anë, ai pretendon se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Haradinajt as edhe një centimetër. Nga ana tjetër, ai e ka lejuar Listën Serbe të formojë koalicionin qeverisës nën “kriminelin” Haradinaj.

Sulmi është ende mbrojtja më e mirë

Shumica e partive opozitare, dhe disa prej mediave, panë këtë qëndrim me dy fytyra dhe e dënuan atë.

Edhe në Europë, disa prej mediave pyesin veten se si Vuçiqi mund të paraqiste Haradinajn si një kriminel lufte dhe të miratonte koalicionin qeverisës të udhëhequr prej tij në të njëjtën kohë.

Qytetari mesatar mund të pyesë veten pse Serbia i dha francezëve ligjërata mbi moralin dhe vetëm pastaj pranoi Haradinajn si kryeministrin e Kosovës. Ai shtron pyetje nëse lejohet çdo gjë në politikë.

Nëse Haradinaj është kriminel në sytë e Serbisë dhe serbëve, ne nuk mund të formojmë koalicione me të. Nëse serbët janë në koalicion me të, nuk duhet ta quajmë kriminel. Në një vend normal dhe të drejtë, zgjedhja do të ishte njëra apo tjetra. Megjithatë, disi, Vuçiq ka arritur të qëndrojë në të dyja karriget në të njëjtën kohë.

Të kualifikuar në artet e manipulimit “harengë të kuqe”, Vuçiq përdori momentin për të fituar pikë me kundërshtarët e tij politik.

Në një “fjalim drejtuar popullit”, i cili do të bëhet në mënyrë të qartë rutinë e presidentit serb, Vuçiqi fajësoi të gjitha qeveritë e mëparshme për gjendjen e vështirë të serbëve në Kosovë dhe vuajtjet e tyre.

Ai veçanërisht i targetoi ish-presidentin Boris Tadiç dhe ish-Ministrin e Jashtëm Vuk Jeremiç duke i akuzuar ata për lejimin e zhvendosjes së çështjeve të Kosovës nga OKB, ku Serbia gëzonte mbështetjen e Rusisë dhe Kinës duke ia dorëzuar Bashkimit Europian, ku Serbia nuk e ka një mbështetje të tillë.

Ai akuzoi krerët e opozitës për predikim ndaj serbëve të Kosovës, derisa qëndronin “të njollosur me birrë dhe shkumë kapuçinoje” nga kafenetë e Beogradit.

Për të shmangur ndonjë diskutim të mëtejshëm rreth koalicionit me Haradinajn, mediat pro-Vuçiq i shërbyen publikut një tjetër mashtrim.

Në vend që të parashtronin pyetjen e rëndësishme rreth asaj se si ishte i mundur një koalicion me një “kriminel lufte”, ata filluan të akuzojnë udhëheqësit e opozitës serbe se kurrë nuk do të shkojnë në Kosovë.

Sasha Jankoviq, udhëheqës i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, u akuzua se nuk u përpoq kurrë t’i mbrojë serbët në Kosovë. Kjo është një akuzë e pamerituar, pasi mbrojtja e serbëve në Kosovë nuk ishte puna e tij si Avokat i Popullit të Serbisë.

A do ta votojnë votuesit Vuçiqin për një moral të tillë të dyfishtë? Nuk ka gjasa. Mbështetësit e tij duket se janë të trajnuar për të gëlltitur çdo gjë. Nëse një politikan tjetër do të kishte avokuar të bashkëpunonte me Haradinajn, do të varej në skulpturat në qendër të Beogradit. Edhe njëherë, Vuçiqi ka treguar se jo vetëm që mund të largohet pa lagur duart, ai mund të largohet me të edhe më i fortë.

 

Milenko Vasoviç është gazetar i mirënjohur serb dhe redaktor në të përditshmen ‘Danas’.

Mendimet e shprehura në pjesën e komenteve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.