Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Haradinaj: Ngrohje për Prishtinën, Ujë për Ferizajn

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka paralajmëruar vendimet që do të merren në mbledhjen e qeverisë që do të mbahet nga ora 11:00. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të ndihmojë kryeqytetin në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes.

“Do të vendosim për financimin e rritjes së kapaciteteve të Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës me vlerë deri në 10 milionë euro. Kjo ndikon direkt në përmirësimin e cilësisë së ajrit”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në ‘Facebook’.

Haradinaj ka thënë se qeveria do të financoi projektin që do t’i sigurojë Ferizajt ujë të pijshëm.

“Nuk do të ndalem asnjë çast së punuari për zhvillimin ekonomik të vendit tonë! Sot, marrim vendime për programin e reformave në ekonomi. Do t’i takoj sot përfaqësuesit e bizneseve dhe Odën Ekonomike. Po bëhemi gati për Konferencën e BERZH-it në Londër, ku bizneset nga Kosova do të aplikojnë për projektet e mëdha”, thuhet në postimin e Haradinajt.