Kryeministri Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Haradinaj: Nëse Brukseli Nuk Ka Kapacitet, të Kërkojë Ndihmë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan me Temën “Skenarët e ‘Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka theksuar se në dialogun me Serbinë kanë munguar vendimmarrësit.

“Europianët qysh janë të ngadalshëm e kanë marrë ngadalë këtë proces, kanë kaluar 20 vjet. Nëse nuk e themi hapur që kjo gjendje është e papranueshme për Kosovën kemi me vazhdu gjatë kështu. Ne duhet të pyesim se ku është problemi që kjo ka zgjatë 20 vjet. Nëse Brukseli nuk ka kapacitet le të lypë ndihmë, ose le të na tregojë se çka të bëjmë ne”, ka thënë Haradinaj.

Më tej Kryeministri Haradinaj ka thënë se dobësia e Brukselit po shihet te marrëveshja e energjisë.

“Nuk e ka një fuqi me i thonë Beogradit, me i thonë që nuk mundesh me e bo këtë. Ne duhet me marrë pare prej buxhetit për me mbijetu edhe një kohë. Tash i kam kërkuar 4 milionë prej BE-së. Mosgatishmëria për me marrë rolin nuk e ndalë Kosovën me ecë përpara. Kanë kaluar 20 vjet dhe evropianët po na thonë duhet me vazhduar dialogun, por deri kur më”, ka theksuar Haradinaj.

Në fund Haradinaj ka thënë që tema e dialogut me Serbinë duhet të mbyllet.

“Çka është finalja? S’ka nevojë për shumë kreativitet, është njohja reciproke, nëse dojmë më bo shumë kreativitet nuk e zgjidhim problemin.”, ka përfunduar Haradinaj.