Ramush Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: Në Politikë jemi me u Rrëzu e me u Çu

Kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi sot të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit, ngase tha se Kosova është izoluar.

Ai tha se Vetëvendosja duhet të ratifikojë demarkacionin vetëm për pjesën e raportit të komisionit Bulliqi, ndërsa pastaj mund të bëjë presion për korrigjimet.

Haradinaj deklaroi se më mirë do të ishte që marrëveshja njëherë të korrigjohej, e pastaj të ratifikohej, por deklaroi se nga ajo që ka parë nga kontaktet me përfaqësues të Malit të Zi ka fituar përshtypjen se nuk mund të korrigjohet një marrëveshje që nuk është ratifikuar nga të dy palët.

Haradinaj deklaroi se në politikë politikanët janë për t’u rrëzuar e për t’u ngritur përsëri. Ai mori shembull një rast personal.

“Këtu jemi me u rrëzu e mu çu n’politikë. Ka disa që jonë rrëzu e jonë shku n’shpi. Unë jam rrëzu e kom shku n’Hagë”, tha Haradinaj.

Duke kërkuar votën e deputetëve pro demarkacionit, Haradinaj deklaroi se nëse rrëzohet ky projektligj “procesi me e nxjerrë ni të drejtë të Kosovës është bukur i gjatë”.