Ramush Haradinaj në KEK | Foto: ZKM

Haradinaj në KEK Interesohet për Prodhimin e Energjisë

Në orët e mëngjesit Kryeministri Ramush Haradinaj vizitoi Korporatën Energjetike të Kosovës për t’u njoftuar në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike.

“Qëllimi i vizitës është të shoh si është situata me prodhim, çka pritet nga tash e deri në muajin mars, sa prodhojmë, sa blejmë dhe në çfarë kapaciteti jemi”, tha kryeministri Haradinaj, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Haradinaj, sipas komunikatës është interesuar edhe për zhvendosjen e banorëve të Hades e Shipitullës.

“Gjendja është nën kontroll. Tani e tutje do të blejmë rrymë sepse rezervat e thëngjillit janë të pakta për të punuar të gjitha njësitë, mirëpo gjendja është stabile. Mora zotim nga menaxhmenti që do ta rrisim angazhimin me kujdestari të vazhdueshme 24 orë,  nga tash deri në muajin mars”, tha Kryeministri.

Haradinaj më tutje konstatoi se gjendja energjetike në vend është e vështirë.

“Nëpër vendbanime, nëpër fshatra të largëta reduktimet janë më të mëdha, por përkeqësim më të madh të gjendjes nuk pritet. Kjo nuk është gjendja e duhur, por po i vuajmë pasojat e mospunës në të kaluarën”, tha Haradinaj.