Foto: Zyra e Kryeministrit

Haradinaj- Mogherinit: Dialogu të Përfundojë me Njohje nga Serbia

Në një takim që Kryeministri Ramush Haradinaj e zhvilloi sot me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, mes tjerash u fol edhe për dialogun Kosovë-Serbi që po zhvillohet në kryeqytetin europian.

Sipas komunikatës, Haradinaj kërkoi që ky dialog të afatizohet dhe të ketë rezultat konkret.

“Kryeministri Haradinaj theksoi se dialogu duhet të riformatohet, të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë bëhet e ditur se në takim u fol edhe për rrugën dhe perspektivën europiane të Kosovës, ndërsa Haradinaj deklaroi se Kosova synon ta marrë deri në fund të 2018-ës statusin e vendit kandidat për BE.

“Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, tregohet në komunikatë.

Haradinaj u ankua edhe për regjimin e vizave për kosovarët në Zonën Shengen.

“Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova ka përmbushur obligimet e saj në këtë proces dhe tha se kriteri i mbetur i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka nisë të adresohet me fillimin e punës së komisionit të ri shtetëror”, vijon komunikata.

Haradinajn në takimin me Mogherinin e shoqëruan edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli dhe ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha.