Kryeministri Ramush Haradinaj në Takimin Mobilizues me Punëtorët shëndetësorë- Foto: Zyra e Kryeministrit

Haradinaj me Mjekët: Ikja nga Obligimet nuk është në Interes të Qeverisë

Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë takimit me punëtorët shëndetësorë ka thënë se Qeveria nuk ka interes t’u ikë obligimeve që ka ndaj punëtorëve shëndetësorë.

Në një takim për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë, Kryeministri Haradinaj së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli dhe me punëtorët shëndetësorë kanë biseduar për gjetjen e formave të financimit të punëtorëve, avancimin e ligjeve si dhe menaxhimin më efikas në sektorin shëndetësorë.

Sipas kryeministrit, nuk është në interes të Qeverisë ikja nga obligimet ndaj punëtorëve shëndetësor.

“Jemi të interesuar për rolin tonë në sektorin e shëndetësisë, cila është pjesa jonë, cilat janë detyrat tona dhe si mund të jemi në funksion të përmirësimit të gjendjes në shëndetësi”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrisë.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli  gjatë takimit ka përmendur zotimet, investimet që do bëhen në infrastrukturë, shtimin e resurseve e pagave, si dhe sistemin e ri të blerjes së barnave.

Në takim ka qenë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), Basri Sejdiu i cili ka treguar hapat konkret të cilat janë ndërmarrë për ofrimin e shërbimeve për 24 orë në disa sektorë, duke përfshirë edhe Institutin Onkologjik.

Gjatë këtij takimi, i cili ishte i pari i nismës mobilizuese është përmendur edhe nevoja për hartimin e një rregulloreje e cila do të rregullonte mënyrën e trajtimit të pacientëve në disa spitale rajonale e disa në QKUK.

Po ashtu është përmendur edhe koordinimi i shërbimeve emergjente në nivel të Kosovës dhe kategorizimi i pagave e nevojave i një menaxhimi më të mirë sa i përket buxhetit shëndetësorë.