Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij qeveritar. Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj, Ministrave: Mos i Leni Zëvendës Ministrat me Nejtë

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë foli edhe për temën aktuale, atë të emërimit të një numri të madh të zëvendës ministrave.

Ai ka kërkuar nga ministrat e Qeverisë së tij që t’u delegojnë punë dhe përgjegjësi secilit zëvendës ministër.

“E kam një kërkesë për ministrat. Numri është më i madh se 1 apo 2 zëvendës ministra për ministri. Mendoj që tani është shumë me rëndësi që secili ministër me iu delegu përgjegjësi konkrete zëvendës ministrave edhe me bo përpjekje që këtë besim politik që iu kemi dhanë me e shfrytëzu me iu përgjigjë dinamikës qeverisëse që e kemi në vend”, tha Haradinaj në mbledhjet e sotme të Qeverisë.

Sipas tij, numri i zëvendës ministrave duhet të kthehet në dobi për qytetarët e vendit.

Haradinaj ka kërkuar nga ministrat e Qeverisë që në takimin e ardhshëm të njoftojnë Qeverinë se çfarë përgjegjësish u janë dhanë zëvendëseve të tyre.

“Në një takim të ardhshëm të mundemi me i definu ndarjet e përgjegjësive dhe ti raportohet qeverisë për punët e tyre, se çfarë përgjegjësish ata kanë. Ata zëvendësa që nuk mbulojnë përgjegjësi të dëshmueshme, atëherë duhet ta shqyrtojmë atë besim të dhanë, se a duhet vazhduar apo me tërheq atë besim. Pra, të mos ndodh që një zëvendës ministër të mos ketë punë dhe të mos ketë si ta arsyetoj angazhimin e vet”, tha Haradinaj para kabinetit qeveritar.

Deri më tani janë emëruar rreth 60 zëvendës ministra që janë emëruar në Qeverinë nga 21 ministri sa numëron Qeveria Haradinaj.