Kandidati i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, në takim me qytetarë - Foto: Facebook

Haradinaj: Kufiri Është në Çakorr dhe Aty do të Mbetet

Haradinaj tha se nuk do të lejojë të ketë një Kosovë të dobët, një Kosovë që mund ta mbajë peng Serbia, sikur me rastin e Ushtrisë.

“Nuk e duam një Kosovë dhe nuk pranoj që shteti ynë të jetë i tillë që mund t’i marrë dikush tokë, territor. Nuk ka me ndodhë kjo. Kufiri është në Çakorr, është në Kullë dhe atje ka me mbetë“, ka deklaruar Ramush Haradinaj në bashkëbisedimin me qytetarë prizrenas.

Po ashtu, Haradinaj e ka trajtuar edhe çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe. Me këtë rast, ai ka thënë se nuk do të ketë në Kosovë dy republika: Republika e Kosovës dhe Republika Sërbska – Zajednica, siç e quajti ai.

Për serbët tha se do të kenë të drejtat e tyre të parapara në Kushtetutë “por jo Zajednicën, e cila është tentu me na u imponu”.

Po ashtu, lideri i AAK-së premtoi se nën qeverisjen e tij të mundshme, shteti do t’u japë familjeve shtesa për fëmijë.

E pyetur nga një qytetare se kur do të lëvizin lirshëm qytetarët e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma tha se në rast të një qeverie të drejtuar prej tij, në një afat rekord ky proces do të marrë drejtim, do të lëvizë. “Nuk shoh periudhë më të gjatë se tre muaj nga momenti i nisjes së punës për liberalizim”, tha Haradinaj.

Për çështjen e demarkacionit, Haradinaj tha se versioni i tashëm ka vdekur.