Haradinaj: Kosova Synon NATO-n Brenda Tri Viteve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencën rajonale të sigurisë tha se dëshiron ta Kosovën pjesë të NATO-s pas tri viteve

Komentet e Haradinajt u bënë në një konferencë në Prishtinë në të cilën po diskutohen dinamikat rajonale për NATO-n dhe Ballkanin Perëndimor në epokën e sfidave të sigurisë globale.

“Ne duam që të anëtarësohemi në NATO, ne duam që NATO të qëndroj në Kosovë, ne po bëjmë çmos që të themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës, ne synojmë që brenda kësaj dekade deri në vitin 2020 të arrijmë fazën e dialogut dhe ta përmbyllim anëtarësimin në NATO”, tha Haradinaj.

Ai shtoi terrorizmi global, ndërhyrja e Rusisë në Ballkan, krimi i organizuar ndërkombëtar, rreziqet kibernetike, rreziqet sociale e ekonomike, janë disa nga sfidat që veçohen.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se që nga krijimi i shtetit të Kosovës, vendi ka kontribuar në paqe, demokraci në regjion të Ballkanit dhe më gjerë.

“Ne besojmë në vlerat e sigurisë demokratike që promovon dhe mbronë Aleanca Euro Atlantike.  Ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira me shtetet përreth edhe me republikën e Serbisë, po vazhdojmë dialogun për normalizim mes shteteve tona, presim nga Republika e Serbisë ta njoh Kosovën si shtet”, tha Veseli.

Ai shtoi se Kosova ka treguar përkushtim kundër terrorizmit dhe kërcënimeve.

“Ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me te gjitha sfidat. Ne synojmë që të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të Aleancës Veri Atlantike, ne krenohemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha Veseli.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli tha se Kosova i është mirënjohëse SHBA-ve, shteteve më demokratike dhe NATO-s.

“Mbetet detyrim i yni që ne së bashku me NATO-n të ndërtojmë ardhmërinë tonë.  Ardhmëria jonë është Evropa Perëndimore e Civilizuar, Bashkimi Evropian e cila duhet të filloj të hap dyert edhe për Kosovën, është NATO”, tha Pacolli.

Sipas Pacollit, përderisa në Kosovë, valojnë flamujt e NATO-s, ‘do të ishte e drejtë që në qendrën e NATO-s të valoj flamuri i Kosovës’.

“Sot Kosova bashkëjeton me NATO-n, jo vetëm një vit por qe 18 vite dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirë, pse sot edhe ne mos të kemi njerëzit e tonë në NATO”, tha shtoi ai.