Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Kosova e Gatshme ta Zbardhë të Vërtetën për Luftën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot se Kosova është e gatshme të përballet dhe të zbardh të vërtetën sa i përket dyshimeve se disa individë që kanë luftuar kanë kryer krime të rënda.

“Është edhe interesimi i Kosovës me zbardh çdo dyshim sa i përket të kaluarës. Deri tash e kemi bërë me nderin më të madh në të gjitha instancat. Kosova çdo herë do të jetë e gatshme që të zbardh të vërtetat për luftën e lavdishme të UÇK-së për lirinë”, tha Haradinaj para gazetarëve.

Haradinaj u përgjigj kështu kur u pyet nga gazetarët në lidhje me deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili tha se “disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve për të cilat duhet të japin llogari. E pikërisht për këtë gjë është Gjykata Speciale”.