Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Haradinaj Kërkon Ndriçimin e Plotë të Vrasjeve Politike në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar një kërkesë që ua ka drejtuar institucioneve të ndryshme të vendit nga të cilat kërkon të angazhohen për të ndriçuar të të gjitha vrasjet politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se këtë kërkesë ia ka drejtuar Prokurorit të Shtetit, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, kam kërkuar nga Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës dhe Agjencioni Kosovar i Inteligjencës, që në kuadër të mandatit të tyre, të angazhojnë të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës, përmes kërkesës më poshtë”, ka shkruar kryeministri Ramush Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Në letrën drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, Haradinaj ka shkruar: “Duke marrë parasysh rëndësinë vitale që ka ndriçimi i plotë i ngjarjeve të rënda  për vendin, Kërkoj nga ju që në kuadër të mandatit tuaj, të angazhoni të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës, si dhe zbardhjen e secilit rast të pandriçuar të vrasjeve të profilit të lartë qoftë politik apo ushtarak”.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se ndriçimi i këtyre veprimeve kriminale do të ndihmojë shoqërinë tonë që të ketë qartësi të plotë rreth këtyre ngjarjeve kriminale, por, njëkohësisht do të bëjë që drejtësia të vihet në vend”, shton ai në këtë letër.

Këtë kërkesë Haradinaj e ka publikuar në ditën kur në Kosovë qëndroi Ekaterina Trendafilova, kryetarja e Gjykatës Speciale, gjykatë që do të trajtojë krimet që pretendohet të jenë kryer nga indididë të UÇK-së.

http://kallxo.com/trendafilova-gjykata-speciale-ndjek-individet-e-jo-organizatat/

Po ashtu, kërkesa ka ardhur në përvjetorin e 17-të të vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa.