Haradinaj: Po Trashëgojmë një Situatë të Vështirë në Vend

I mandatuari për kryeministër Ramush Haradinaj tha se e pret shumë punë në këtë pozitë. Ramush Haradinaj në fjalën e tij në fillim të mbledhjes ku pritet të votohet qeveria e drejtuar prej tij, tha se po trashëgon një situatë të vështirë në vend. Ai konstatoi se në Kosovë ka korrupsion endemic deri në zbehjen e shpresës.

Deklaroi se “shëndetësia e arsimi s’janë mirë, bujku i Kosovës ndihet vetëm, për femrën kosvare bëhet e vështirë të gjejë një vend pune sidomos në vise rurale”. Ai tha se Kosova nuk shkon në BE, por bëhet BE. Haradinaj iu drejtua edhe serbëve me disa fjalënë gjuhën e tyre, duke thënë se do të krijojë besim me këtë komunitet. Seanca nisi me 44 minuta vonesë. Në fund Haradinaj kërkoi besimin e deputetëve.

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër ka thënë se aktualisht kanë përgatitur vetëm disa orientime programore. Por, ai ka premtuar se në të ardhmen do të përgatitet një program qeveritar. Mirëpo për bërjen e tij ka thënë se do t’i duhet më shumë kohë.

“Para vetës keni disa orientime programore, por programin qeveritar do ta sjellim tek ju. Ky program para se të sjellët tek ju do t’i nënshtrohet një diskutimi publik. Por, para se të caktojmë se çka do të bëjmë duhet të bëjmë një incizim të saktë për gjendjen në teren që nisja të jetë e saktë”, tha Haradinaj.