Kryeministri Haradinaj në takim me zyrtarë të AKP-së - Foto: ZKM

Haradinaj Kërkesë AKP-së: Pallati i Rinisë t’i Rikthehet Komunës së Prishtinës

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga udhëheqja e Agjencisë Kosovare të Pronave (AKP) që të nisë procedurat adekuate konform ligjeve në fuqi që fati i Pallatit të Rinisë të marrë epilog, përkatësisht që t’u kthehet qytetarëve të Prishtinës.

Gjatë një takimi me përfaqësues të Bordit Menaxhues dhe Ekzekutiv të AKP-së, Haradinaj ka theksuar se Pallati i Rinisë është i qytetarëve të Prishtinës pasi që gjatë viteve ‘70 të shekullit të kaluar kanë paguar vetëkontribut për ndërtimin e tij.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim janë shtjelluar dhe janë diskutuar edhe tema shumë të rëndësishme, siç është çështja e Fabrikës së Gypave në Ferizaj, ku palët u dakorduan që gjetja e zgjidhjeve të kënaqshme për të gjithë është jetike për Kosovën.

Përfaqësuesit e AKP-së kanë bërë të ditur se sot ia kanë dorëzuar kryeministrit Studimin e Fizibilitetit (versionin në gjuhën shqipe) për konsolidimin e Trepçës, si kompani ligjore afariste e mëvetësishme.