Haradinaj në QKUK | Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Ka Vakume dhe Defekte në QKUK

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me drejtorët e klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tha fjalë të mira për personelin mjekësor.

“Ata që janë të ngarkuar me përgjegjësi, mjekët, personeli mjekësor, me të vërtetë bëjnë punë të mundimshme e të vështirë edhe janë heronjtë e Kosovës”, tha Kryeministri Haradinaj.

Haradinaj deklaroi se “ka vakume” dhe defekte në QKUK”, mirëpo shprehu besimin se e është arritur dakordim që e mundëson ballafaqimin me probleme së bashku me QKUK-në.

Edhe ministri i shëndetësisë Uran Ismajli që e shoqëroi Haradinajn duke përmendur problemet në QKUK, foli edhe për marrje të përgjegjësive.

“Ne t’i marrim përgjegjësitë tona, por edhe i gjithë sektori i shëndetësisë t’i marrë përgjegjësitë e veta”, tha Ismajli.

Haradinaj vizitoi QKUK-në pas vdekjeve të dyshimta të disa pacientëve atje.

Prokuroria ka nisur hetimet për vdekjet e tilla duke urdhëruar zhvarrosjen e tre të vdekurve.