Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Ka Sekserë që po Përfitojnë nga Importi i Energjisë

Për shkak të krizës energjetike, Kosova është duke e importuar gjysmën e energjisë elektrike, e që sipas Haradinajt në këtë mes ka edhe përfitues.

“Unë i kam kërku KEK-ut që të bëjnë kujdestari, që të jetë gjithmonë një nga drejtorët dhe jo të vijnë me nejt në këtë objektin e Lepa Brenes, a qysh i thojnë, por të shkojnë atje ku po ndodhë mihja, e të mos mendojnë që importi i energjisë është zgjidhja ma e lehtë, se me gjasë ata që importojnë fitojnë shumë, ata që ndërmjetësojnë”, tha Haradinaj.

Kryeministri tha më tutje se sekserët që po përfitojnë nga importi nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.

Nëse është gjendje krize, duhet të jetë krizë për të gjithë. Kërkush s’ka me mbet pa pasoja, prej meje, te menaxhemti e deri te sekserat e importit të energjisë. Është gjendje krize, nuk guxojmë me shku në pakufi kështu. Jam thellë I bindur që në KEK  ekanë kuptu porosinë”, tha Kryeministri Haradinaj.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka raportoi sot para kabinetit qeveritar në lidhje me situatën energjetike në vend, ndërsa tregoi se gjysma e energjisë ne vend është duke u importuar.

Kjo situatë, sipas ministrit, po ndodh për shkak të mosshpronësimit në fshatin Shipitullë.

Lluka tha se ministria i ka planifikuar dy skenarë të mundshëm për tejkalimin e kësaj situate.

I pari është të vazhdohet me këtë sasi prodhimi të energjisë dhe pjesa tjetër të importohet.

“Skenari i parë është që nga tash e deri në mars vazhdojmë me këtë lloj të prodhimit, është një gjenerator i Kosova A dhe një gjenerator i termocentralit Kosova B ku prodhohet deri në 400 megavatë dhe pjesa tjetër të importohet tërësisht”, tha Lluka.

Me këtë skenar sipas ministrit do të ketë sshtrenjtim të energjisë elektrike.

“Me këtë skenar do të kemi humbje të rrjetit energjetik rreth 42 milionë euro apo siç ka rekomanduar ZRRE-ja, një ngritje të tarifave deri në 18.5%”, tha Lluka.

Ministri përmendi edhe skenarin tjetër për të prodhuar më shumë energji.

“Është edhe një skenar tjetër që kemi qenë edhe ne insistues që ta krijojmë, skenar më agresiv, ku mund të prodhojmë në janar dhe në gjysmën e shkurtit me kapacitet të plotë duke i shfrytëzuar më tepër rezervat dhe në këtë rast humbjet janë diku rreth 30 milionë euro, apo një rritje prej rreth 11% të çmimeve energjetike”, tha Lluka.

Por ndryshe nga ministri, Kryeministri Haradinaj tha se qytetarët nuk do ta paguajnë më shtrenjtë rrymën.

“Mendoj që menaxhmeti i KEK-ut nuk i ka shtjerrë krejt mundësitë që të punojnë ekskavatorët, ideja që veç të importojmë nuk është në rregull. Qeveria e vendit nuk do t’ia japë asnjë cent KEK-ut për import. Ata ta menaxhojnë këtë kohë krize, të gjejnë mënyrë të financimit, por qytetarët e vendit nuk do t’i paguajnë këto”, tha Haradinaj në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ai konstatoi se qeveria e kaluar ia la si “bombë të kurdisur” gjendjen energjetike të vendit.

“Për dy vjet janë harxhuar rezervat e qymyrit, nuk janë ndërmarrë veprime që është dashtë me u marrë me pasë mundësi me mihë, pra s’ka pas shpronisme dhe është sjellë vendi në krizë. Kur e kemi marrë qeverinë e kemi marrë bombën e kurdisur të gjendjes së energjisë”, tha Haradinaj.

Haradinaj protestën e qytetarëve kundër shtrenjtimit të rrymës e cilësoi të vonuar.

“Vërtet i përshendes ata qytetarë që po protestojnë sot, por mendoj që kanë qenë të fjetur për dy vjet kur i është shkaktuar dëmi vendit dhe ky është reagim tepër i vonuar. Nuk kanë nevojë me protestë sot, në kohë të kësaj qeverie,e cila e fillon ditën me gjendjen e energjisë dhe e mbyll ditën me gjendjen e energjisë”, tha Haradinaj.

KALLXO.com shkroi për protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

http://kallxo.com/para-keds-dhe-qeverise-asnje-cent-ma-shume-per-rrymen/