Foto: ZKM

Haradinaj: Ka ardhur koha të veprojmë për FSK-në

Kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit që pati me ambasadorët e huaj në Kosovë për çështjen e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura ka mbajtur edhe një konferencë për gazetarë.

Haradinaj thotë se argumentet për të marrë besimin e deputetëve serbë janë plotësuar, mirëpo ende nuk dihet se cila do të jetë vota e tyre.

“Është e paraparë që fuqizimi i FSK-së bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Unë mendoj që argumentet për ta marrë besimin e të zgjedhurve serbë janë plotësuar mirëpo vendimi është politik dhe meqenëse është politik, nuk e kemi të qartë këtë votë”, tha Haradinaj në konferencë për media.

“Një ditë ne duhet të veprojmë, nuk mund të presim pakufi. E kam sqaruar në këtë konferencë që ka ardhë koha të veprojmë”, shtoi ai.

Sipas tij, argumentet janë përmbushur që transformimi i FSK-së të ndodhë, por që duhet vendosur për mënyrën se si duhet ecur përpara.

Haradinaj shtoi se janë dy mundësi për transformimin e FSK-së.

“Janë dy mënyra për të ndodhë transformimi: ndryshimet kushtetuese por edhe avancimi në bazën ligjore për ushtrinë”, tha Haradinaj.

Këtë të dytën e kishte provuar edhe më herët presidenti Hashim Thaçi, por nuk kishte gjetur mbështetje dhe ishte “detyruar” ta kthej mbrapa këtë propozim.

“Marrja e votës është një proces politik prandaj jam thellë i bindur që nëse jo përmes ndryshimeve kushtetuese, atëherë përmes bazës ligjore do të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtrinë e Kosovës”, tha Haradinaj në mes tjerash.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se Kosova është e gatshme që nga një absorbues i sigurisë të kthehet në kontribuues të sigurisë si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë rajonal e global.

“Transformimi i FSK-së në ushtri nuk nënkupton marrjen e detyrave nga KFOR-i. KFOR është një forcë paqeruajtëse, është mandat i NATO-s, ne e respektojmë dhe e vetmja gjë që ushtria e Kosovës e bën, ia lehtëson jetën edhe më shumë KFOR-it në Kosovë”, tha tutje kryeministri.