Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Haradinaj Injoron Kërcënimet e Mësimdhënësve për Grevë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nisi ditën e parë të punës për këtë vit me një vizitë te ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Haradinaj pas këtij takimi komentoi paralajmërimet e Sindikatës së Punëtorëve të Arsimit për grevë të përgjithshme nëse rritja e pagave për këtë vit nuk kalon 4 përqindshin.

“Rritja e pagave për 4.6 përqind është në kuadër të premtimit elektoral. Për 30 përqind është për këtë mandat, do e mbajmë këtë premtim. Për trazira, bëjmë trazira kur të duam se vendi ynë është por kështu është vendimi i Qeverisë edhe i imi sa jam unë”. tha Haradinaj.

Sipas tij, vendimi për dyfishimin e pagave në qeveri nuk mund të krahasohet me rritjen e pagave të sektorit publik në përgjithësi.

“Rritja e pagës për shefin e qeverisë edhe ministrat është një vendim politik i atyre që i kanë përgjegjësitë por që nuk mund të hyjnë në të njejtën kategori me rritjen e pagave në krejt sektorin publik sepse ka rangim të pagave”, tha Haradinaj.

Në nëntor të vitit të kaluar Sindikata e Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë(SBASHK), kishte paralajmëruar grevë të përgjithshme, pasi sipas tyre rritja e paralajmëruar e pagave është tejet e ulët.

Në anën tjetër, në dhjetor Kryeministri kishte marrë vendim për rritje të rrogave për vete dhe vartësit e tij.

http://kallxo.com/kjo-eshte-rroga-e-re-e-kryeministrit-dhe-vartesve-te-tij