Haradinaj gjatë votimit | Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Fitorja më e Madhe Nëse Qytetarët Vendosin Vetë

Ramush Haradinaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Anita votoi në Prishtinë.

Haradinaj votoi në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” ku është e vendosur qendra e votimit 1910E.

Haradinaj u bëri thirrje edhe të tjerëve të votojnë.

“Sapo votova sot unë dhe Anita. U bëj thirrje qytetarëve të gjithë të votojnë. Fitorja ma e madhe është nëse qytetarët vendosin vetë për jetën e vet”, tha Haradinaj.

Zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen sot, u caktuan pasi Kuvendi i Kosovës me një mocion mosbesimi rrëzoi qeverinë më 10 maj.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 11 qershorit kanë 1 milion e 872 mijë e 941 votues në 889 qendra votimi.

Votues që kanë të drejtë vote për herë të parë janë 118 mijë e 448 persona, ndërsa nga listat janë larguar 33 mijë e 542 persona të vdekur.

Zgjedhjet do të monitorohen nga 30 mijë vëzhgues, 100 nga ta të BE-së.