Homazhet e Haradinajt te varri i Rugovës | Foto: ZKM

Haradinaj: Me Fat që e Patëm Ibrahim Rugovën

Kryeministri Ramush Haradinaj bëri sot homazhe të varri i Ibrahim Rugovës dhe vizitoi familjen e tij në ditën kur ish-Presidenti i parë i Kosovës i njohur ndërkombëtarisht do të mbushte 73 vjet, sikur të ishte gjallë.

Haradinaj tha para varrit të presidentit historik se jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës ka qenë gjithmonë lajm i mirë për Kosovën.

“Sot nderojmë te varri i Presidentit Rugova, e nderojmë në ditëlindjen e Presidentit Rugova. Jeta dhe vepra e tij ka qenë çdo herë lajm i mirë për Kosovën, pra një punë e vlefshme historike dhe sot në ditëlindje i themi faleminderit”, tha Kryeministri Haradinaj.

Ai më pas vizitoi edhe familjen e ish-Presidentit, ku sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit tha se ishim me fat që e patëm.

“Presidenti Rugova ka qenë lajm i mirë për Kosovën dhe ju, e ne jemi me fat që e patëm. Ishte Presidenti i parë, historik i Kosovës dhe ai do t’i mbijetojë shekujt”, tha Haradinaj.

Familarët e Ibrahim Rugovës i thanë Haradinajt se bashkëpunimi i tij me të ishte i mirëpritur dhe gjithmonë në dobi të vendit.

Në vitin 2004, para se të akuzohej nga Haga, Haradinaj ishte nominuar nga Presidenti Rugova, Kryeministër i Kosovës.