Haradinaj: Ende ka punë në shëndetësi

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se ende ka probleme në fushën e shëndetësisë në Kosovë dhe se mjekët nuk i kanë kushtet e mira të punës.

I pari i ekzekutivit këtë deklaratë e tha në Ditën Botërore të Shëndetit, në aktivitetin organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Edhe pse janë dhënë 20 milionë euro shtesë për këtë dikaster, Haradinaj deklaroi se ato nuk janë të mjaftueshme për një shëndetësi më të mirë.

Ai tha se i ka pa së afërmi mjekët në Kosovë në cilat kushte punojnë e që sipas tij nuk i kanë pagat e mira, ndërsa përmendi edhe mungesën e barnave.

Kryeministri theksoi se Qeveria, e në veçanti Ministria e Shëndetësisë, ka një seriozitet për ngritjen e cilësisë në fushën e shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli tha se ka përmirësim në fushën e shëndetësisë, ndërsa Ardita Tahirukaj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se kjo organizatë do të mbetet mbështetëse për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë.