Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj e Shpall Fitoren e Koalicionit, VV i Gëzohet Rritjes

Haradinaj uroi qytetarët e Kosovës për zgjedhjet të cilat i quajti si “më të mirat që ndonjëherë janë mbajtur në Kosovë”.

Një exit-poll i realizuar nga TV Klan Kosova e nxjerr koalicionin PDK-AAK-NISMA si subejtin e parë në vend me 40 përqind të votave, Vetëvendosjen të dytën me 30 përqind ndërsa koalicionin LDK-AKR të tretën me 27 përqind.

Por Haradinaj tha se diferenca është edhe më e madhe në favor të koalicionin të tij.

“Kosova e ka marrë vendimin. Besimi iu ka dhënë koalicionit. Fitoja është më bindëse se që e ka dhënë exit poll. Do të veprojmë në kohën e duhur për ta formuar qeverinë. I ftojmë për partneritet në të ardhmen për të mirën e vendit”, tha Haradinaj.

Pak minuta pas Haradinajt, në konferencë për shtyp doli edhe Vetëvendosje.

Dardan Sejdiu nga ky subjekt tha se VV pret që në këto zgjedhje t’i marrë diku mes 33 ose 34 përqind të votave.

“VV që nga sonte është subjekti i parë politik i Kosovës”, tha ai duke iu referuar votës së dhënë për partitë politike.

“Vota e VV është tashmë më shumë se dyfish e rritur dhe tregon se qytetarët kanë votuar për ndryshim, kanë votuar me zemër dhe kanë votuar për ta përmbysur të keqen”, tha Sejdiu.