Haradinaj: Dëshmorët Nderohen me Punë

Lideri i AAK-së dhe ish-Komandanti i UÇK-së për Dukagjinin Ramush Haradinaj ka nisur sot vizitat para shtatoreve dhe varreve të dëshmorëve dhe personaliteteve kosovare që nuk janë më mes të gjallëve.

Haradinaj që u lirua të enjten nga një gjykatë në Francë, pas ndalimit në janar që atij nga autoritetet franceze iu bë në bazë të një fletarrestimi të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia, nderimet i nisi nga shtatorja e Zahir Pajazitit në qendër të Prishtinës.

“Nderimi vjen gjithë jetën me punë. Ne sot e kemi këtë dedikim të përulemi para heronjve, atyre që kanë ra për liri”, tha Haradinaj para shtatores së Pajazitit, komandantit të vrarë më 31 janar 1997 bashkë me Edmond Hoxhën e Hakif Zejnullahun.

Përveç shtatores së Pajazitit, Haradinaj sot do të nderojë edhe te varri i Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Kosovës të pranuar ndërkombëtarisht, ndërsa do të shkojë edhe në Prekaz te varrezat e Jasharëve.

Haradinaj po sot planifikon ta vizitojë edhe Mejën e Gjakovës, vendin e vrasjes së 377 civilëve gjatë luftës, ndërsa vizitat do t’i përfundojë me homazhe në Gllogjan të Deçanit, fshatin e tij të lindjes.

Këto vizita i konfirmoi edhe Haradinaj, kur iu drejtua gazetarëve para shtatores së Pajazitit.

“E fillum këtu, e vazhdojmë te Presidenti Rugova, e vazhdojmë në Prekaz, pastaj do të shkojmë edhe në Meje, janë shumë martirë atje është masakra më e madhe në Kosovë dhe do ta përmbyllim në Gllogjan”, tregoi Haradinaj.

Po në Sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës Haradinaj iu drejtua qytetarëve të tubuar me një fjalim pas kthimit nga Franca të enjten.

http://kallxo.com/kthimi-i-trete-i-haradinajt/