Haradinaj: Demarkacioni, Jam me Shpresë se do të Gjendet një Dalje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se me homologun e tij malazez, Dushko Markoviq, ka biseduar edhe rreth çështjes së Marrëveshjes së Demarkacionit.

“Ekziston vullnet i mirë të gjendet një dalje nga gjendja ku jemi. Jam me shpresë se do të gjendet një dalje nga gjendja”, tha kryeministri Haradinaj.

Se kanë biseduar për këtë temë tregoi edhe shefi i Qeverisë së Malit të Zi.

“Biseda në këtë temë sot ishte në drejtim të dialogut intensiv, të pandërprerë dhe të gjetjes së zgjidhjes për dalje nga kjo situatë“, tha Dushko Markoviq.

“Kemi biseduar për këtë çështje. E dini se ky proces kur është fjala për Malin e Zi ka përfunduar me ratifikimin e Marrëveshjes në Parlamentin e Malit të Zi. Gjithashtu, e dimë se Qeveria e Kosovës, respektivisht Kuvendi i Kosovës, nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje. Mali i zi dëshiron si një fqinj i mirë, mik, të ndihmojë që kjo çështje të zgjidhet… Kemi biseduar për këtë temë me qëllimet më të mira si miqtë më të mirë që në vazhdimësi të dialogut që ekziston dhe do të vazhdojë do të gjejmë zgjidhjet më të mira që të kemi Marrëveshjen e ratifikuar dhe që Kosova të ketë një mundësi të madhe të re kur flitet për integrimet europiane”, tha kryeministri Markoviq.

Kryeministri Haradinaj e ka quajtur historike vizitën e kryeministrit malazez, të cilin e cilësoi mik dhe e thirrte në emër – Dushko.

“Vizita e kryeministrit Markoviq dëshmon që populli i Malit të Zi dhe ai i Kosovës janë jo vetëm fqinj, por popuj që duan njëri tjetrin dhe të ardhmen e përbashkët euroatlantike. Jam thellë i bindur që do të jenë marrëdhënie shembull për të gjithë në regjion”, tha Haradinaj pas takimit me homologun e tij malazez.

Vizita e kryeministrit malazez do të vazhdojë edhe nesër, kur ai do të ketë takime me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

KALLXO.com transmetoi LIVE konferencën për shtyp të kryeministrave të Kosovës dhe Malit të Zi.

14 Shkurt 2018 - 18:40

Naser Sertolli and 14/02/2018 - 18:40
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend