Takimi për zbatimin e agjendës europiane | Foto: ZKM

Haradinaj: Çdo Javë Takime për Agjendën Europiane

Në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Europian, Kryeministri Haradinaj paralajmëroi takime të çdojavshme të tij.

Ai më tutje tregoi se çfarë kërkon nga ministrat e këtij mekanizmi.

“Ministrat duhet të vijnë me raportim preciz, por edhe institucionet tjera që ju takojnë detyra, në mënyrë që ne të mund të vërtetojmë që zbatimi i MSA-së është proces që po ndodhë”, tha Haradinaj, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij.

Ai deklaroi se integrimi europian është prioritet i qeverisë së drejtuar prej tij.

“Ne kemi deklaruar si partner qeverisës, si koalicion, si qeveri tanimë, se e kemi prioritet integrimin europian, MSA-në”, tha Haradinaj.

Ai konstatoi më tutje se hapat drejt intefgrimit europian nuk po bëhen për hir të BE-së, por për të mirë të qytetarëve.

“Nuk e bëjmë këtë për hatër të BE-së, e bëjmë për të mirën e qytetarëve të vendit, atyre që jetojnë në Kosovë”, tha Haradinaj.

Dhurata Hoxha, ministrja e Integrimit Europian u zotua se Kosova do të kryejë detyrat e saj.

“Për Kosovën, integrimi europian nuk është alternativë, por është rrugë të cilën e kemi zgjedhur dhe ne duhet të kryejmë detyrat tona dhe të shënojmë progres”, tha Hoxha.