Haradinaj: 17 Shkurti, Dita e Ballafaqimit!

Zgjedhja eventuale e Hashim Thaçit në postin e Presidentit të vendit mund të çojë në një thellim edhe më të madh të krizës politike, tha sot njëri nga liderët opozitarë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kreut i Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, u shpreh se opozita tripartiake do ta kundërshtojnë votimin për President “me të gjitha mënyrat” ndërsa përjashtoi çdo mundësi që një votim për President të mbahet në sallën e seancave.

“Propozimi im është që me u zgjedhë direkt Presidenti, nga votat e qytetarëve dhe kjo kish me qenë shumë më e udhës, dhe jo të shkojë përmes Parlamentit sepse metodat kundërshtuese janë të njëjta nga opozita. Ju i dini këto metoda, dhe nëse ai zgjedhet në sallat alternative do ta rrisë edhe  më shumë iritimin në popull”, tha Haradinaj gjatë një debati të organizuar sot nga lëvizja FOL.

Ai tha se zgjidhja më e mirë për dalje nga kriza politike do të ishte shpërbërja e Kuvendit dhe shkuarja caktimi i një date të zgjedhjeve të parakohshme para 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë dhe ditës kur partitë opozitare kanë thirrur një protestë “në mbrojtje të sovranitetit”.

“Situata në Kosovë veç po shkon duke u bë më jonormale. Pse me e pritë 17 shkurtin me ndodh edhe më shumë iritim, atëherë pse me vazhdu kjo situatë, sepse ne jemi dukë shku drejt zgjedhjeve”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së i cili krye në vete, pa pëlqimin e pjesës tjetër të opozitës kishte shkuar të hënën në takimin konsultativ te Presidentja Jahjaga bashkë me kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij Hashim Thaçi, tha se propozimin që Presidenti i vendit të zgjidhet përmes votave të qytetarëve ia ka bërë edhe Presidentes në atë takim.

“E kanë neglizhuar dhe vetëm janë tallur me këtë propozim”, tha ai.

Sipas tij, takimi me Presidenten e vendit ishte një mundësi e daljes nga kriza që opozita ia dha vendit.

“Unë kam propozuar që me u kthy në parlament dhe me i votu këto ndryshime kushtetuese (për zgjedhjen e Presidentit me vota të popullit). Në takim nuk u pranua fare me u diskutu për këtë temë”, tha ai.

Për kreun e AAK-së, edhe më të rënda ishin  deklaratat e Mustafës dhe Thaçit.

“Me e quajt kauzën tonë false ishte  një gabim shumë i madh”, tha ai.

Haradinaj u shpreh se nga protesta e 17 shkurtit pret një reflektim më të madh, dhe pjesëmarrje shumë më të madhe të qytetarëve.

“E mërkura është e menduar si dita e ballafaqimit, numri i njerëzve do të jetë i madh dhe nuk mund të jetë më i papërfillshëm,  do të jetë e pamundur mos me e përfillë”, tha ai.