Mbledhja e Senaatit të UP-së | Foto: KALLXO.com

Hapet konkurs për 62 pozita në UP

Pas debatit të gjatë është miratuar shpallja e konkursit për 62 pozita profesorësh në Universitetin e Prishtinës.

Në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës është miratuar pas shumë diskutimeve konkursi për 62 pozita në këtë institucion arsimor.

Në mbledhjen e Senatit rektori Marjan Dema tha se konkursi është hapur për pozitat  e profesorëve të pensionuar dhe pozita të reja.

“Kësaj radhe kemi 62 pozita. Ka pozita që janë pensionuar profesorë dhe pozita të reja që e kemi pa të nevojshme”, tha Dema.

Dema kërkoi diskutim për këtë konkurs me qëllim të transparencës dhe miratim të tij pas diskutimeve.

Ai tregoi se njësitë akademike kanë dërguar kërkesa për 293 pozita, por thasë UP-ja lëngon për mungesë buxheti dhe staf akademik e joakademik.

Bujar Dugolli, dekani i Fakultetit Juridik kundërshtoi reduktimin e pozitave të kërkuara nga kjo njësi akademike, por u pajtua me konkursin duke përdorur shprehjen “më mirë pak se hiq”.

Ai tha se nuk duhet të ketë dallim mes stafit të rregullt dhe të angazhuar si dhe mes njësive akademike.

Dugolli kërkoi që në konkurs të futet edhe një pikë me të cilën përjashtohen ata që janë dënuar për vepra penale, ndërsa u ankua se Këshilli Drejtues i UP-së nuk po takohet me dekanët.

Megjithatë, Dugolli uroi që konkursi të shkojë si duhet.

“Më vjen mirë që ka ardhur koha që ne të paraqesim një konkurs dhe besoj që menaxhmenti do të përfundojë si duhet këtë konkurs, sepse në konkurs në të kaluarën nuk ka përfunduar mirë”, tha Dugolli.

Në mbledhjen e Senatit të UP-së Avdi Puka, senatori nga Fakulteti Juridik kërkoi që të mos jenë pjesë e konkursit pozitat e atyre që po përballen me gjykatat.

Të njëjtën gjë e mbështeti edhe rektori Dema.

“Nuk guxojmë të hapim konkurs për lëndët që janë në proces gjyqësor sepse nuk mundemi të dimë se çka do të ndodhë. Nëse keni këso informata ju lutem diskutoni”, tha Dema.

Enver Hamiti dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike shfaqi brengën e tij për mbylljen e drejtimit të energjetikës.

“Sot jemi në situatë të jashtëzakonshme e Fakultetit Elektroteknik. Sigurisht që nuk e presim as 2021 për mbyllje. Vërtet gjendja është alarmante”, tha Hamiti.

Rektori Dema në fund i luti dekanët që të mos organizojnë konferenca pa konsultim me Rektoratin.