Ekspozitë për profesorin Bekim Lumi, Foto: 21Media

Hapet Ekspozita Humanitare Dedikuar Profesorit Bekim Lumi

Këshilli Studentor i Fakultetit të Arteve të Bukura të UP-së, sonte e ka hapur ekspozitën shitëse në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, për të ndihmuar profesorin dhe regjisorin Bekim Lumi.

Pikturat janë dhuruar nga studentë të Fakultetit të Arteve dhe artist të tjerë.

Organizatori i ekspozitës shitëse, Arben Elshani  tha se këtë aktivitet e kanë organizuar për t’i dalë në ndihmë profesorit Bekim Lumi dhe së pikturat kanë çmime të arsyeshme për t’u shitur, në mënyrë që të grumbullohen mjete për ta ndihmuar profesorin Lumi.

“Ekspozitën e kemi organizuar për profesorin që është i sëmurë prej kancerit, i dedikohet shërimit të tij. Është kryesisht me punime të studentëve të Fakultetit të Arteve, por ka edhe artistë tjerë që kanë marrë pjesë me punimet e tyre dhe gjitha ato mjete që do të grumbullohen do të shkojnë për profesorin Bekim Lumi. Kryesisht janë çmime të ulëta, sepse është puna për t’u shitur dhe për t’u siguruar  mjetet sa më shumë. Janë më shumë çmime të lira, nuk janë aq sa e meritojnë, por  duke marrë parasysh rrogat mesatare në Kosovë, është çmimi i arsyeshëm”, tha Elshani.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selim tha se kjo është një punë shumë e madhe prej studentëve që po i dalin në ndihmë profesorit. Sipas Selimit në Fakultetin e Arteve ka filluar aktiviteti për të ndihmuar kolegun Bekim Lumi.

“Mendoj se është një punë shumë  e mirë, një organizim i madh i shumë studentëve, organizatave studentore, të cilat kanë një qëllim shumë human, ta ndihmojnë profesorin dhe pedagogun tonë Bekim Lumin. Besoj që jo vetëm ekspozita, por në Fakultetin e Arteve edhe drejtimet tjera, sidomos Artet Skenike, kanë filluar dhe po organizojnë shfaqje në ndihmë të profesorit Bekim Lumi”, tha Selimi.

Studentja në Fakultetin e Arteve, Ardita Krasniqi tha se ka zgjedhur një ndër pikturat e saj më të mira për ta dhuruar në këtë ekspozitë dhe shpreson që piktura e saj të shitet për të ndihmuar shërimin e profesorit.

Ekspozita  ka filluar sot në Bibliotekën Kombëtare te Kosovës, e cila do të jetë e hapur deri më 23 mars për të gjithë ata që shprehin dëshirë për t’i blerë pikturat që ato mjete të sigurohen për ta ndihmuar profesorin dhe regjisorin e Fakultetit të Arteve, Bekim Lumi./21Media