Hamdi Ibrahimi Do Sqarime nga KPK

Deklaratat e dhëna nga kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka në një emision televiziv lidhur me përgjimet dhe vendimin e Gjykatës për të refuzuar kërkesën për masë të përkohshme janë arsyeja që kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës i është drejtuar me një letër sqaruese Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Hamdi Ibrahimi për KALLXO.com e konfirmon se i ka dërguar një shkresë Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me deklaratat e kryeprokurorit Beka.

“Unë vetëm kam kërkuar sqarime nga Këshilli Prokurorial i Kosovës  lidhur me një deklaratë  të dhënë ku është etiketuar Gjykata Themelore e Prishtinës”, tha Ibrahimi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka,  për KALLXO.com ka thënë se nuk është i informuar lidhur me çështjen por ka shtuar se si duket kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës “nuk ka punë tjetër për t’u marrë”.

Në anë tjetër, në Këshillin Prokurorial të Kosovës, më saktësisht kryesuesi i këtij këshilli, Blerim Isufaj, i kontaktuar nga KALLXO.com nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë shkresë, duke thënë se këto janë çështje disiplinore.

KALLXO.com lidhur me çështjen ka kontaktuar edhe me prokurorin disiplinor Zef Prendrecaj, i cili ka thënë se ende nuk ka pranuar ndonjë shkresë lidhur me këtë rast.