Xhavit Haliti | Foto: KALLXO.com

Haliti: Diplomacia nuk Zhvillohet me Facebook

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se a ka dështuar diplomacia kosovare, deputeti Xhavit Haliti pas mbledhjes së Komisionit për Stabilizim-Asociim tha se për diplomaci duhet të ketë para.

“Nuk mund të zhvillosh diplomaci, t’i kërkosh takim ni diplomati a deputeti e të shofish a po ta pagun ai kafen se s’ki lekë me veti. Diplomacia kushton, e diplomacia duhet ta ketë buxhetin e vet. Diplomacia nuk zhvillohet me Facebook,” tha Haliti.

Para se të pyetej rreth mendimit për dështimin ose jo të diplomacisë kosovare, Xhavit Halitit iu shtrua pyetje se çfarë duhet të ndërmarrë Kosova pas dy arrestimeve të fundit të qytetarëve kosovarë nga Serbia nën dyshimet për krime lufte.

Haliti u pyet se a duhet ta kushtëzojë Kosova dialogun me lirimin e të arrestuarve.

“Serbia e bën politikën e vet brenda shtetit të vet, Kosova e ka të vështirë ta imponojë politikën në Serbi. Të paktën njerëzit që e finë qe kanë probleme mos të lëvizin nëpër Serbi,” tha Haliti.

Policia e Serbisë arrestoi më 29 shtator Nehat Thaçin, drejtorin e Policisë Rajonale në Mitrovicë, ndërsa edhe mes së premtes dhe së shtunës së kaluar u arrestua Hilmi Kelmendi.Të dy dyshohen për krime lufte.

http://kallxo.com/arrestohet-ne-serbi-drejtori-policise-nehat-thaci/

http://kallxo.com/arrestohet-ne-serbi-hilmi-kelmendi-dyshohet-per-krime-lutfe/

Ai deklaroi se listat e atyre që Serbia pretendon se kanë kryer krime duhet të diskutohen në Bruksel.

“Gjatë këtyre bisedimeve që zhvillohen në Bruksel, te jetë prezente edhe MPB-ja dhe t’i diskutojë listat,” tha Xhavit Haliti.

Haliti tha se nëse ka pasur krime lufte, ato duhet t’i  shqyrtojë Gjykata Speciale.

“Ne e kemi formu e pranu Gjykatën Speciale, nëse ka krime le t’i shqyrtojë ajo,” tha Haliti.