Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Haki Rugova Konteston Votat nga Jashtë për Gani Dreshajn

Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova, i ka quajtur “të manipuluara” kontingjentin e votave që sot mori rivali i tij, Gani Dreshaj, në garën për kryetar të komunës.

Mbi 1,500 votat e ardhura nga kategoria e votuesve me kusht e me postë të ardhura për Istogun e përmbysën rezultatin e zgjedhjeve të 19 nëntorit me të cilin Haki Rugova ishte 671 vota në epërsi ndaj Gani Dreshajt të AAK-së.

Në numërimin e sotëm, Dreshaj mori 1,475 vota ndaj 133 sa pati për Rugovën gjë që e përmbys rezultatin dhe e vendos Istogun nën kontroll të AAK-së.

“Unë i përcolla disa rezultatet, por ende nuk i kam të gjitha. Mirëpo komenti im është se janë tërësisht të manipuluara dhe për ketë ka fakte dhe unë do t’i prezantoj ato”, tha Rugova në një deklaratë për KALLXO.com.

“Kanë votuar njerëzit e vdekur, kanë votuar njerëz që nuk jetojnë këtu edhe s’kanë haber dhe kurrë se kanë kalu kufirin e Kosovës”, shtoi ai.

Ai dyshon se votat që, sipas tij, kanë ardhur kryesisht nga Mali i Zi, Serbia, Austria e Sllovenia, “janë të dirigjuara”.

“Për ketë ka fakte, ka emra dhe dëshmi. Njerëzit po thërrasin po thonë unë s’kam votu e as s’kam apliku e kanë ardhë votat. Këto dëshmi i kam çu edhe në parti dhe ka edhe qindra dëshmi tjera që do t’i nxjerr. Kjo më nuk është vetëm punë e PZAP-së por me këtë çështje duhet m’u marrë shteti i Kosovës në tërësi, prokuroria, gjykatat”, th ai.

“Nuk është kjo personale, po e kam për degradimin e një procesi që po ndodh dhe nuk është hera e parë. Unë jam i kënaqur me votat që kanë ndodhur brenda, s’kam asnjë vërejtje, por qarqet e ndryshme dhe manipulimet e tilla nuk bënë”, tha Rugova për KALLX.com.

KALLXO.com ka provuar të marrë një koment edhe nga Gani Dreshaj i AAK-së, por ai nuk ka qenë i qasshëm.