Haki Abazi, Drejtor i Fondacionit ‘Rockefeller Brothers’ për Ballkanin Perëndimor. Foto: Kallxo.com

Haki Abazi për Investimet e Dështuara dhe Humbjet në Arbitrazh

Abazi foli për dështimin e projektit të Brezovicës që, sipas tij, nuk do të ndodhte nëse do të kishte transparencë në procedurat e prokurimit dhe analizë të investitorëve potencialë.

“Tender i hapur, transparent, tender i monitoruar prej strukturave, përfshirë edhe mediat dhe shoqërinë civile edhe kontroll i plotë i prejardhjes së financave në aplikime. Pikërisht ky rast tregon se ligji për prokurim publik nuk ka qenë aspak pengesë për me gjetë investitorin, kanë qenë problem procedurat jo transparente se kush janë këta investitorë, me çfarë qëllimi ekonomik dhe politik vijnë këta njerëz në investime këtu dhe si kjo mund të jetë edhe përjashtim i investitorëve të tjerë” tha Abazi për emisionin “Jeta në Kosovë’.

I intervistuar nga jeta Xharra, ai foli edhe për ‘Ferronikelin’ për të cilën vlerësoi se është duke sjellë dëme në shëndet për qytetarët ndërsa përfitime ekonomike vetëm për pronarin e ndërmarrjes.

“Kemi të bëjmë me një investim i cili është duke e shkatërruar realisht tokën e Kosovës duke bërë eksplorim edhe gropa të jashtëzakonshme afër aeroportit për të tërhequr minerale. Kur merret materiali, mineralet hedhen në një shkritore dhe një fabrikë e cila bën helmim konstant të popullatës… përfitimet realisht janë vetëm për pronarin dhe askënd tjetër”, vlerësoi Abazi.

Ndërkaq, për sa i përket borxhit 30 milionësh që Posta dhe Telekomi i Kosovës duhet të paguajë pas humbjes në Gjykatën e Arbitrazhit, Abazi konsideron se është një trend i vjedhjeve ligjore të buxhetit të shtetit.

“Ne jemi duke parë marrëdhënie të sinqertë në mes të operatorëve ekonomikë dhe njerëzve me të cilët janë të lidhur brenda qeverisë, hyjnë marrëdhënie kontraktuale, e dështojnë kontratën duke i nxjerrur 30 milionë prej buxhetit të shtetit që në fakt në letër janë krejt në rregull”, deklaroi Abazi.

Haki Abazi analizoi edhe zhvillime të tjera në vend gjatë vitit 2016 duke përfshirë ngjarjet në veri të Mitrovicës, korrupsionin, rezultatet e testit PISA etj…