Haki Abazi: EULEX Ndikohet Politikisht

Analisti kosovar Haki Abazi ka thënë se EULEX, në disa raste, e ka dëshmuar se ndikohet nga politika ditore në Kosovë.

Gjatë debatit në emisionin “Jeta në Kosovë”, Abazi, Drejtor i Fondacionit Vëllezërit Rockefeller për Ballkanin Perëndimor, ka folur për dyshimet e tij për ndikime politike në rastin e fundit të bastisjeve që kanë të bëjnë me pronat në Veternik e Çagllavicë, ku i dyshuar është edhe deputeti i PDK-së dhe ish komandanti i UÇK-së, Azem Syla.

“Për mua EULEX është një organizatë ndërkombëtare e cila ka dëshmuar që mund të ndikohet politikisht në momente të rëndësishme politike në Kosovë dhe shpesh është gjetur në mbrojtje të krimit në Kosovë duke tentuar t’u hedhë hi syve të qytetarëve duke pretenduar se po zbatohet ligji. Kjo ka të bëjë edhe me këtë rastin e fundit”, tha Abazi.