Hajnat Thyejnë Dyert e Shkollës

Në ditën kur ishte paraparë që ora e parë e mësimit t’i kushtohej “Epopesë së UÇK-së”, shkolla fillore “Jeronim de Rada” në Ferizaj nuk ka mundur t’i hapë dyert për nxënësit e saj në ndërrimin e paradites, pasiqë persona të panjohur kanë thyer dyert e shkollës dhe kanë vjedhur zyrën e drejtorisë së kësaj shkolle.

Hajnat nga aty kanë marrë një kompjuter dhe një printer.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës në Ferizaj, Agim Gashi, i tha RTV21 se në orët e hershme të mëngjesit, policia është njoftuar se në shkollën fillore “Jeronim de Rada” ka ndodhur një vjedhje.

“Policia e krimeve të rënda ka dal menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet”, tha Gashi.

Drejtoresha e shkollës, Servete Hajrullahu tha pwr RTV21 se ndërrimi i paradites nuk ka mbajtur mësim për shkak se policisë i është dashur që të marrë provat në vendin e ngjarjes.

Ajo tha se mësimi në ndërrimin e pasdites do të zhvillohet normalisht.