Foto: Facebook

Hajdari nuk i bindet vendimit të ministrit Rikalo për suspendim

Kryeshefi i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdari ka thënë se ministri i bujqësisë nuk ka kompetencë për shkarkimin dhe emërimin e tij. Ai ka thënë se vendimi i Ministrit të Rikalo, për pezullimin tim nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, nuk ka asnjë bazë ligjore.

“Në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil, neni 69, paragrafi 1: Nëpunësit civilë pezullohen, me pagesë 50% të rrogës se tij/saj, menjëherë nga detyra nga organi përgjegjës për menaxhimin e personelit të institucionit punëdhënës nëse: kundër tij/saj është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij/saj”, ka shpjeguar Hajdari. “Ndërkaq, në rastin tim, nuk ka asnjë procedurë penale të konfirmuar nga organet e drejtësisë, gjë që mund të vërtetohet shumë lehtë edhe tek këto organe në vendin tonë.”

Ai ka paralajmëruar se vendimin për suspendimin e tij nuk do të respektoj.

“Vendimin për pezullimin e punës me pagesë nuk do e respektoj, duke u bazuar se Vendimin për punë e kam të nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës. Asnjë vepër penale nuk e kam bërë dhe nuk jam në proces, kjo mund të vërtetohet edhe në organet e drejtësisë”, ka thënë Hajdari.

Ai ka thënë se në vazhdimësi ka bërë raporte javore për ministrin e bujqësisë, siç obligohet me ligj.

“Raportimet javore i kam bërë, kjo dëshmohet edhe me raportet, të cilat janë edhe në e-mail dhe në arkiven elektronike e po ashtu u jam përgjigjur të gjitha takimeve të thirrura nga ministri”, tha ai.

Ai për Kallxo.com ka thënë se shkarkimi i tij lidhet me një rast ku është i përfshirë kompania Extra Frut Filings. Këtë rast Gazeta JnK është duke e hulumtuar prej javësh. Shkrimi për këtë rast do të publikohet në ora 21:00.

Por, Hajdari e ka përmendur edhe ndarjen e mjeteve për Mitrovicën e Veriut, për të cilën ka raportuar Gazeta JnK.

“Ka edhe keqpërdorime tjera, si ajo në rastin për Masën Speciale për Veri, në vlerë prej 2,000,000.00€ dhe Masën për Zhvillim Rural me buxhet prej 5,000.000.00€, të cilat programe i kanë hartuar vet dhe në anën tjetër vet edhe janë implementues të programit, gjë që është në kundërshtim me Ligjin Nr. 03/L-098 dhe Nr. 04/L-090”, tha Rikalo.