Kuvendi i Kosovës (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Hajdar Beqa: U Kam Thënë Aktivistëve të VV-së Ishalla nuk Keni Faj

Një polemikë në Kuvendin e Kosovës mes Donika Kadaj-Bujupit e Hajdar Beqës, e shtyri deputetin e PDK-së të tregojë se ka vizituar në Burgun e Dubravës aktivistët e Vetëvendosjes.

Beqaj reagoi kundër diskutimit për dënimin e aktivistëve të LVV-së në Kuvend, duke thënë se me këto diskutime po goditet sistemi i drejtësisë.

“Ky debat tenton të krijojë huti dhe mosbesim në drejtësi tek opinioni publik që pastaj t’u japin të drejtë veprimeve të tyre të mundshme që mund të bien ndesh me ligjin në të ardhmen”, tha Beqa.

Këto fjalë i quajti hipokrizi deputetja e Vetëvendosjes Donika Kadaj-Bujupi.

“Me 15 dhjetor 2017 Hajdar Beqa ka shku në Burgun e Dubravës, i ka vizitu aktivistët tonë dhe ju ka uru lirim, duke e konfirmu që është i vetëdijshëm se ata janë të pafajshëm dhe po mbahen aty padrejtësisht. Prandaj me shku në burg të Dubravës, me i taku, me ju thanë këto fjalë edhe me ardhë këtu në parlament e me thanë krejt të kundërtën, shumë e pandershme, hipokrizi, e padrejtë ndaj tyre dhe qytetarëve”, tha Donika Kadaj-Bujupi.

Pastaj Hajdar Beqa e pranoi se vizitoi aktivistët, por tha se këtë e ka bërë në emër të komisionit dhe në detyrë zyrtare.

“Më ka ardhë shumë keq, e them me sinqeritetin më të madh, për ata djem që janë në burg aty dhe kam thanë ishalla nuk keni faj, dhe ata e dinë ma s’miri çka kam thanë”, tha Beqa.

Ai i dha fund politikës duke thënë se nuk duhet të ndërhyhet në sistemin e drejtësisë.

“Ne nuk jemi ata të cilët duhet të interferojmë në vendimet e drejtësisë dhe unë nuk jam pishman që kom shku me i pa”, tha Beqa.