Haga, Presion Serbisë për Arrestimin e Radikalëve

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, i kërkoi Serbisë ditën e mërkurë të dërgojë përditësime dyjavore mbi përpjekjet e saj për të arrestuar tre zyrtarë nacionaliste.

“Dhoma është e shqetësuar seriozisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit me gjykatën e Serbisë. Prandaj udhëzon Serbinë të paraqesë çdo dy javë një raport ku të përshkruajë me detaje veprimet që qeveria e Serbisë po ndërmerr për të përmbushur detyrimet e saj dhe arrestimin e të akuzuarve,” tha gjyqtari Alphons Orie.

Zyrtarët e Partisë Radikale Serbe Vjerica Radeta, Petar Jojiç dhe Jovo Ostojiç akuzohen se kanë kërcënuar dy dëshmitarë të mbrojtur në gjyqin e Sheshelit për krime lufte.

Ata akuzohen gjithashtu se i kanë bërë shantazh dëshmitarëve të mbrojtur dhe u kanë ofruar atyre ryshfete nga 500 euro për të mos dëshmuar në gjyqin e Sheshelit për krime lufte në Bosnje, Kroaci dhe Serbi.

Sasa Obradoviç, një avokat për qeverinë serbe, tha se Beogradi ende nuk e ka marrë një vendim në lidhje me si do të veprojë.

“Ekzaminimet politike dhe ato të sigurisë të çështjes janë duke u zhvilluar dhe Ministria e Drejtësisë e Serbisë po kryen konsultime të gjera në këtë drejtim,” tha Obradoviç.

“Ky është mesazhi i qeverisë serbe ndaj trupit gjykues për sot,” shtoi ai.

Gjykata e Hagës i kërkoi Serbisë të dërgojë raportin e parë të detajuar më 24 shkurt.

Gjykata e OKB-së kishte urdhëruar më parë Beogradin “të paraqesë raporte mujore ku të përshkruajë përpjekjet e tij në lidhje me ekzekutimin e urdhër arresteve dhe se raporti i parë duhej të dorëzohej më 1 shkurt 2016”.

Beogradi e dorëzoi raportin e parë më 2 shkurt, duke deklaruar se po pret një përgjigje nga presidenti i Gjykatës së Hagës në lidhje me një letër të dërguar më 7 dhjetor duke kërkuar që çështja t’i referohet juridiksionit të Serbisë.

Aktakuzat për mosbindje ndaj tri zyrtarëve të Partisë Radikalë Serbe u ngritën në mënyrë konfidenciale më 5 dhjetor 2014, ndërsa urdhrat për arrestimin e tyre u nxorën në mënyrë sekrete më 19 janar 2015. Versionet e redaktuar u bënë publike vetëm në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

Lideri i akuzuar i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel ende po pret datën e saktë të vendimit të tij të shkallës së parë, pas disa vonesave kontroversiale.

Ai u rikthye në Beograd pasi iu dha lirimi i përkohshëm për arsye njerëzore në nëntor 2014 për t’u kuruar nga kanceri.

Edhe pse gjykata e mbështetur nga OKB-ja i ka kërkuar atij të rikthehet në burgun e Hagës, autoritetet serbe nuk e arrestuan atë, duke cituar si arsye gjendjen e tij të dobët shëndetësore.

Sipas Ligjit të Serbisë për Bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, Beogradi s’është i detyruar të përmbushë të gjitha kërkesat e Gjykatës së Hagës.

Qeveria mund të mohojë çdo kërkesë nëse mendon se ajo shkel sovranitetin ose sigurinë kombëtare të Serbisë.

Një nga zyrtaret e akuzuara të Partisë Radikale, Vjerica Radeta, ka thënë për mediat disa herë se ajo nuk do të shkonte kurrë me dëshirë në Hagë. Vetë partia ka bërë gjithashtu të njëjtën deklaratë.