Fshati Shipitullë; Foto: KALLXO.com

Hadja e Shipitulla Protestë për Trajtim të Dinjitetshëm

Banorët e Hades dhe Shipitullës pritet të protestojnë të martën para drejtorisë së KEK-ut te Termocentrali Kosova B.

Këta banorë në një njoftim u kanë bërë thirrje qytetarëve të Komunës së Obiliqit, organizatave joqeveritare, partive politike dhe institucioneve të kësaj komune që t’i përkrahin për protestën e paralajmëruar.

Protesta lidhet me shpronësimin e këtyre banorëve për shfrytëzimin e thëngjillit nën shtëpitë e tyre dhe në zonën përreth.

Banorët në njoftimin për protestë thonë se “me dekada të tëra jemi të diskriminuar me rastin e shpronësimit të pronave tona stërgjyshore”.

Ata tregojnë se do të protestojnë për trajtim të dinjitetshëm dhe punësim.

“Ne kërkojmë përkrahjen tuaj për ketë protestë kundër KEK-ut, që një herë e përgjithmonë qytetaret e Obiliqit të trajtohen dinjitetshëm sipas Ligjit për Obiliqin dhe ligjeve tjera në fuqi, ku shpronësimi të jetë i pranueshëm për të dy palët si dhe të na jepet mundësia për punësim sipas ligjit të lartcekur”, thuhet në njoftimin e banorëve.

Ujup Mirena, një banor i Hades tha për KALLXO.com se banorët e lagjeve Krasniqi, Mirena, Bërbatovci dhe Mjekiqi janë duke protestuar që 48 orë para ekskavatorëve të KEK-ut.

Sipas tj këta ekskavatorë u janë afruar objekteve të banimit.

Ai tregon se dje Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ua ka ndërprerë punën ekskavatorit 10 Bardh dhe ekskavatorit 10 Mirash, por sipas tij pas një ore këta ekskavatorë kanë filluar përsëri punën.

Protesta e banorëve të Hades | Foto e ardhur në KALLXO.comPër një protestë të këtyre banorëve të zhvilluar në gusht shkroi KALLXO.com.

http://kallxo.com/banoret-e-shipitulles-protestojne-kek-pret-zhvendosje-te-qete/

Atë ditë banorët e Shipitullës protestuan për siç thanë mihjen e qymyrit nga ekskavatorët e KEK-ut brenda zonës së sigurisë.

Sipas banorëve të Shipitullës që ende jetojnë pranë mihjes sipërfaqësore të thëngjillit, këta ekskavatorë nxorën thëngjill në zonën 120 metra larg shtëpive, ndërsa sipas tyre, ata duhet të punojnë në zonën e sigurisë prej 250 metrash.

http://kallxo.com/ekskavatoret-e-kek-ut-shkelin-zonen-e-sigurise-ne-shipitulle/

Më 30 gusht qeveria në detyrë miratoi shpronësimin e 17 pronave të Shipitullës.

Lazarati i Kosovës

KALLXO.com vazhdimisht ka shkruar për jetën e vështirë pranë qymyrit të banorëve të këtyre fshatrave dhe zhvendosjen e zvarritur të tyre nga zonat e pasura me thëngjill.